Ceballos, më i miri i Europianit U21. Ndizet “El Clasico” në merkato

01/07/2017 00:00

Futbollisti më i mirë i Europianit të futbollit për 21-vjeçarët, si dhe yll në ngritje i Spanjës së të ardhmes.

Dani Ceballos nuk e priste që vetëm në harkun e pak ditëve të kthehej në lojtarin më të kërkuar të merkatos në vendin iberik, me Barcelonën dhe Realin e Madridit që i kanë dhënë jetë një “El Clasico”-je për të firmosur me talentin.

Galaktikët janë gati menjëherë të paguajnë 15 milionë eurot e klauzolës së kontratës, që e lidh Ceballos me Betisin e Sevijës, por katalanasit hynë gjithashtu në tratativa për të provuar një “Remuntada”.

Gjysmësulmuesi i kombëtares spanjolle, që u mund në finale nga Gjermania, u zgjodh futbollisti më i vlefshëm i turneut.

Ai, 21 vjeç pritet t’i mbushë më 7 gusht, por ka një vizion loje, shpejtësi dhe goditje fantastike. Dani Ceballos ka një pasion për Romën, por ëndrra e tij e vërtetë është të luajë me gjigantët e futbollit iberik.

Vet talenti pranoi se është në dilemë për të vazhduar karrierën, duke qenë i vetëdijshëm se, ndoshta është ende shpejt që ai të jetë protagonist jashtë fushës, i një derbi Real-Barcelona.

Top Channel