Gjermania, kampione Europe për nën 21-vjeçarët

30/06/2017 00:00

Ka mjaftuar vetëm një gol i lojtarit të Hertës së Berlinit, Mitchell Weiser, 5 minuta nga fundi i pjesës së parë, për t’i dhënë Gjermanisë së nën 21-vjeçarëve fitoren përballë bashkëmoshatarëve të tyre të Spanjës, e njëkohësisht për t’u shpallur kampionë Europe.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “MKS Cracovia” të Krakovës në Poloni ishte tejet e dyluftuar mes dy skuadrave finaliste, që kishin ardhur deri në aktin final pasi kishin mposhtur respektivisht Gjermania Anglinë dhe Spanja Italinë, me “panzerat” U21 që kishin luajtur disi më shumë pasi iu deshën shtesat dhe më pas goditjet nga 11-metërshat për të triumfuar përballë djemve të “3 luanëve”.

Gjermanëve iu mohua goli i dytë nga traversa, pas goditjes së Meyer, ndërsa Gnabry pati dy raste të arta për shënim, duke shpërdoruar. Grintën dhe duelin e ashpër mes dy skuadrave e treguan edhe kartonët e verdhë të marrë në pjesën e dytë, plot 6 të tillë, vetëm dy për Spanjën.

Ky është titulli i dytë kampion për Gjermaninë U21, teksa të parin e kishin fituar në vitin 2009. Ndërkohë, sulmuesi spanjoll Saul Niguez shpallet fitues i “Këpucës së Artë”, pasi rezultoi golashënuesi më i mirë i turneut me 5 gola, i ndjekur me 3 nga shoku i tij i kombëtares Shpresa, Asensio.

Top Channel