Vala më e madhe e të nxehtit në 10 vitet e fundit ka goditur Greqinë. Në Elefsina, pranë Athinës, është regjistruar mesditën e së premtes temperatura më e lartë sivjet në Europë, 45 gradë Celsius në hije.

Gjithashtu, në më shumë se 45 zona në të gjithë vendin janë regjistruar temperatura mbi 40 gradë Celsius. Sipas meteorologëve bëhet fjalë për një fenomen të veçantë, pasi këto temperatura janë rreth 9 gradë më të larta sesa niveli normal i këtij muaji.

Tepër karakteristike janë edhe pamjet që kanë bërë xhiron e botës, me ushtarët që u fshijnë djersët e ballit rojeve të Gardës Presidenciale, në sheshin para Parlamentit, pasi sipas rregullit ata nuk mund të lëvizin.

Turistët në qendër të qyteteve të mëdha, Athinë dhe Selanik, kanë pohuar se ka qenë një ditë me të vërtetë nga më të nxehtat që kanë përjetuar. Ata që nuk kanë mundur të shkojnë në bregdet, kanë gjetur pak freski në ujërat e shatërvaneve.

Autoritetet greke kanë paralajmëruar qytetarët që të qëndrojnë në ambiente të mbyllura me ajër të kondicionuar, si dhe nën hije e të shmangin daljet e paqëllimta, ndërsa në të gjithë vendin ka gatishmëri të lartë, pasi kanë shpërthyer zjarret e para në pyje.

Vala e të nxehtit që do të vazhdojë edhe në fundjavë krahasohet me atë të vitit 1987, kur vetëm në Athinë gjetën vdekjen 1.300 vetë.

Top Channel