Lauda: Hamilton nuk largohet nga Mercedesi

30/06/2017 00:00

Ditët e fundit, Lewis Hamilton u përfol shumë në media për mundësinë e largimit të tij nga Mercedesi dhe Botërori i Formulës 1.

Por, ajo që u publikua rezultoi të ishte në kuadrin e zërave spekulative, pasi Hamilton dhe Niki Lauda mohuan gjithçka. Madje, Lauda deklaroi se komenti i parë i bërë nga Hamilton është keqkuptuar.

“Lewis Hamilton do të qëndrojë me ne, sepse ka një kontratë për të respektuar. Ai nuk është Nico Rosberg. Lewis dëshiron rinovimin e kontratës me ne edhe përtej vitit 2018. Ai vet e kërkoi këtë gjë. Është shumë i motivuar, ashtu sikurse edhe ne, por pavarësisht kësaj bisedimet ende nuk kanë nisur”, tha Lauda.

Niki Lauda foli edhe për një çështje tjetër, ku edhe në këtë rast iu desh të bëjë një përgënjeshtrim. Bëhet fjalë për lajmet që flasin për arritjen e një marrëveshjeje mes Mercedesit dhe McLarenit, duke parë se skuderia britanike po shkon drejt ndarjes me Hondën.

“McLaren ka një kontratë me Hondën. Por edhe nëse ndahen, kjo nuk do të thotë se Mercedesi do të furnizojë këtë skuadër me motorë. Askush nuk e ka kërkuar këtë. E njëjta histori ishte edhe me Red Bullin, por në fund kjo skuadër vijoi punën me Renault dhe problemet u zgjidhën”, tha Lauda.

Top Channel