FIFA pranon: Sistemi i videovëzhgimit nuk është perfekt

30/06/2017 00:00

Thirrje vendimtare për pozicionet jashtë loje, por shpeshherë gabime të diskutueshme dhe mistere mbi ndërhyrjet e gabuara dhe për penalltitë.

Sistemi i videovëzhgimit që po aplikon FIFA për të ndihmuar arbitrat, e ka ndarë opinionin sportiv në pro dhe kundër. Rasti i fundit në ndeshjen Kili-Portugali në Kupën e Konfederatave, me një kontakt të denjë për penallti, i shtoi polemikat.

Përcaktuesi i arbitrave në FIFA, zvicerani që ka shkëlqyer më parë në fushën e blertë Massimo Busacca pranoi se “Video Assistant Referee” nuk është i pagabueshëm. Ish-gjyqtari zviceran rindërtoi momentet kyç të ndeshjes mes Kilit dhe luzitanëve, kampionë Europe në fuqi.

“Kontakti mes Fonta dhe Silva u pa nga shumë këndvështrime dhe me teknologji të ndryshme, por nëse i jepje aksionit një shpejtësi normale me atë të fushës, atëherë shtoheshin dyshimet dhe për këtë vendosi arbitri që ishte pranë. Nëse ka ndërhyrje të gabuara në zonë, atëherë do të mbetet gjithmonë një vijë gri, askush nuk premtoi zgjidhjen nga ‘VAR’ të çdo problemi me arbitrat”, tha përcaktuesi i FIFA-s.

Por në të vërtetë mungoi një episod kyç, ku drejtuesi i garës duhej të kontrollonte personalisht episodin në monitorin në fushë.

Top Channel