Olivia de Havilland, një prej aktoreve të filmit legjendar të vitit 1939, “Iku bashkë me erën”, më 1 korrik feston ditëlindjen e saj të 101-të.

Në këtë moshë, De Havilland, fituese e dy çmimeve “Oscar”, është mëse në formë fizikisht e mendërisht. Në filmin e konsideruar si një ndër më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave, ajo interpretonte Melanie Hamilton, rivalen në dashuri të protagonistes Vivien Leigh dhe personazhit të famshëm të saj, Scarlett O’Hara.

Karrierën e vërtetë kinematografike, Olivia do ta niste kur regjisori Max Reinhardt e pa duke interpretuar në pjesën “Ëndrra e një nate vere” dhe u befasua aq shumë, sa vendosi t’i jepte një rol në filmin që po xhironte mbi atë temë në vitin 1935.

Edhe “Warner Bross” u mahnit me performancën e vajzës së re dhe i propozoi një kontratë 7-vjeçare. Nga këtu nuk vonoi oferta për rolin e Melanisë, që do t’i sillte të parin e 5 nominimeve për statuetën e artë. Karriera e Olivias do të shenjohej më vonë nga fitorja e një gjyqi me “Warner Bross”, por edhe rivaliteti legjendar me të motrën, Joan Fontaine, që ia vlente një skenar “Hollywood”-i.

Fontaine ndërroi jetë në vitin 2003. De Havilland interpretoi gjatë jetës së saj në mbi 50 filma, në 9 nga të cilet pati si bashkëprotagonist të famshmin Errol Flynn. Ajo do t’i tregonte më vonë revistës “LA Weekly” se kishte pasur një tërheqje të fortë ndaj Flynn, por nuk i kishte rënë kurrë në sy.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel