V. Williams në telashe, e përfshirë në aksident me vdekje

30/06/2017 00:00

Venus Williams është në telashe. Tenistja amerikane rezulton të jetë shkaktarja e një aksidenti që pati pasojë vdekjen e një personi 78-vjeçar, ngjarje që ndodhi në datën 9 qershor në Palm Beach të Floridës.

Policia konfirmoi lajmin e publikuar nga portali TMZ që kishte marrë dëshminë e bashkëshortes së viktimës, sipas së cilës Williams përplasi makinën me atë të 78-vjeçarit, i cili u dërgua në spital, ku humbi jetën pas 2 javësh.

Venus Williams iu kërkua deponimi më polici me tenisten që deklaroi se ndërsa po përpiqej të kalonte kryqëzimin e bllokuar nga trafiku, makina e viktimës iu shfaq përpara në mënyrë të papritur dhe ajo nuk mundi dot të evitojë përplasjen.

Avokati i Venus, Malcolm Cunningham theksoi se klientja e tij nuk është nën hetim duke specifikuar se tenistja e kaloi kryqëzimin nën regjimin e dritës së gjelbër të semaforit dhe ishte me shpejtësi 5 milje në orë kur u godit nga një tjetër makinë.

Por policia e Palm Beach e përgënjeshtroi këtë version faktesh të dhënë nga Cunningham. Në raportin e saj theksohej se Venus Williams është fajtore për aksidentin që shkaktoi një viktimë.

Policia theksoi se një dëshmitar kishte vënë re makinën e Venus të kalonte në regjimin e dritës së kuqe për t’u përplasur më pas me mjetin tjetër duke shtuar se gjithsesi nuk ka asnjë hetim penal dhe asnjë kërkesë për një gjë të tillë.

Top Channel