Mbështetës të partisë së Nikola Gruevskit, VMRO-DPMNE, kanë protestuar mbrëmjen e së enjtes përpara Gjykatës Penale në Shkup, ku Prokuroria Speciale Publike e Maqedonisë dorëzoi një ditë më parë 17 aktakuza, shoqëruar me kërkesën për veprime paraprake dhe masë paraburgimi për një sërë anëtarësh të udhëheqësisë së kësaj partie, përfshirë vet Gruevskin.

Akuzat e lidhura me financimin e paligjshëm të partive, manipulim të pronave, dëmtim të pronës, shkatërrimin e paligjshëm të pajisjeve të përgjimit, nxitje dhune dhe një sërë pretendimesh të tjera, u depozituan dy ditë përpara skadimit të afatit mbi ngritjen e padive, që burojnë nga dhjetëra hetime.

Gjykatësit tani duhet të dalin me një vendim brenda 24 orësh. Në një deklaratë të saj, LSDM-ja shprehet se qytetarët patën mundësinë të dëgjojnë, shohin dhe ndiejnë sundimin kriminal dhe antishtetëror të Gruevksit e VMRO-së.

“Kjo parti u pasurua në kurriz të varfërimit të shtetasve të shtypur të këtij vendi. Tani, – vazhdon deklarata, – drejtuesit e saj përballen me përgjegjësinë e veprave të tyre. Ata duhet të përpiqen t’u japin fund përpjekjeve për të shmangur drejtësinë e për ta vendosur veten mbi ligjin”.

“Që të gjithë, – thuhet më tej, – përfshirë Gruevksin dhe udhëheqësinë e VMRO-DPMNE-së, duhet të japing llogari përpara një sistemi gjyqësor të pavarur e profesional”.

Komisioni Europian “i ka lënë detyrë” kryeministrit të ri, Zoran Zaev, dhe qeverisë së tij implementimin e reformave urgjente prioritare, me qëllim forcimin e ligjit, në mënyrë që në tetor të sigurohen rekomandimet nga Brukseli për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE.

Prokuroria Speciale Publike në Shkup u krijua si rezultat i Marrëveshjes së Përzhines të arritur verën e vitit 2015, ndërmjet 4 partive më të mëdha politike, si dhe me ndihmën e SHBA dhe BE. Qëllimi i themelimit të saj ishte dhënia fund e krizës dyvjeçare që kishte përfshirë vendin, pas skandalit të përgjimeve.

Top Channel