Prokuroria Speciale Publike e Maqedonisë dorëzoi në Gjykatën Penale, 17 aktakuza të reja kundër 94 personave dhe 7 kompanive. Kryeprokurorja speciale, Katica Janeva, te të gjitha aktakuzat kërkon arrestimin e 18 personave, mes të cilëve edhe politikanë veteranë.

Për çështjen e parë të njohur me emrin “Titanik”, Prokuroria Speciale kërkon paraburgim për kreun e VMRO-DPMNE-së dhe ish-kryeministrin Nikola Gruesvki, si dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.

Gruevski akuzohet për “shoqërim kriminal, “keqpërdorim të mjeteve financiare të fushatës zgjedhore” dhe “cënim të së drejtës zgjedhore”. Bashkëpunëtorët e Gruesvkit përfshijnë ish-ministren e Brendshme, Gordana Jankulovska, si dhe Martin Protogjer, Kiril Bozhinovski dhe Mile Janakievski.

Për çështje të tjera të paraqitura nga Prokuroria kërkohet arrestimi i ish-ministres së Kulturës, Elizabeta Kançeska Mileska, si dhe ish-zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike, Vladimir Peshevski. Në objektivin e Prokurorisë është edhe ish-shefi i Policisë sekrete, Sasho Mijalkov, një nga emrat më të përfolur gjatë viteve të fundit në Maqedoni, i cili kërkohet të arrestohet për përgjimet ilegale.

Kryeprokurorja speciale Janeva i bëri thirrje Gjykatës Penale që të nisë menjëherë nga puna.

I menjëhershëm reagimi i kreut të VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski, i cili pas publikimit të akuzave i hodhi poshtë këto të fundit dhe e cilësoi Prokurorinë Speciale si një zyrë të LSDM-së. Gruevski akuzoi Prokurorinë Speciale se po tenton që të shkatërrojnë partinë e tij dhe se ka humbur paanshmërinë, duke u shndërruar në një instrument për qëllime politike.

“Si asnjëherë më parë në historinë e Republikës së Maqedonisë, por jo edhe të tërë Europës, nuk ka ndodhur një ndjekje e tillë klasike politike ndaj kundërshtarëve politikë. Qindra persona, të cilët janë pjesë e organeve, ose mbështetës të VMRO-DPMNE-së, ndiqen me qëllim që partia të shkatërrohet ose të heshtë”, theksoi Gruevski. “Nuk ekziston asnjë shembull historik për diçka të tillë. Atë që kemi thënë, ajo edhe ka ndodhur. Bëhet fjalë për një proces politik e joligjor. PSP-ja moti e ka humbur paanshmërinë dhe kredibilitetin në punën e tij dhe u bë instrument për ndjekje politike. PSP nuk është prokurori, PSP është zyra e LSDM-së. Treguesi më i madh se është proces politik, i cili ka qëllim politik, është ajo që bart vendime pa kurrfarë dëshmish ligjore. Procesi është politik e joligjor. E një proces i tillë politik duhet të përfundojë me politikë, e jo me vendime ligjore. Synimi është VMRO-ja, qëllimi është thyerja e saj, eliminimi politik dhe vendosja nën kontroll për qëllime më të mëdha, të cilat janë të nevojshme për atë që e krijuar tërë këtë proces”, theksoi kreu i VMRO-DPMNE-së.

Ish-kryeministri dhe kreu aktual i VMRO-DPMNE-së akuzohet nga Prokuroria Speciale Publike për 4 çështje të ndryshme, përfshi këtu rastin “Titanik” për shpërdorime zgjedhore; rastin “TNT” për rrënimin e objektit të “Fiat Canovskit-Kosomos”; rastin “Trajektorja” për ndërtimin e autostradave; si dhe rastin “Tanku”, për furnizimin e Mercedesit me 580 mijë euro. Nëse ai do të gjykohej dhe do të shpallej fajtor për këto 4 akuza, nga përllogaritjet e medieve maqedonase thuhet se ai rrezikon deri në 22 vite burg.

Top Channel