Los Angeles u bë qyteti i premierës botërore të “Spider Man: Homecoming”, filmi më i ri i serisë së superheroit aq popullor të Marvelit.

Aktori kryesor Tom Holland nuk i zhgënjeu fansat, që prisnin në diell kur u shfaq përpara tyre me kostumin e personazhit të famshëm, e bëri një hedhje akrobatike nga makina për t’u rikthyer më pas në të njëjtin mjet, nga i cili doli këtë herë i veshur me kostum serioz bardhezi.

Holland është aktori i tretë që interpreton Peter Parkerin, njeriun që vë maskën e “Spider Man”-it e shndërrohet në heroin shpëtimtar të njohur nga të gjithë. Ky rol i është besuar më parë Tobey Maguire dhe Andrew Garfield.

Në filmin e fundit, Holland shfaqet në krah të Robert Downey Jr., apo “Iron Man”-it të Marvelit. Por shumë prej emrave të tjerë të kastit të aktoreve ishin mbajtur sekret, gjë që e rrethoi me mister këtë episod të “Spider Man”-it.

Për Marisa Tomein, që vjen në rolin e tezes së Parkerit, një fshehtësi kaq e madhe duhet parë edhe si  thikë me dy presa. Por zhurma që filmi ka bërë në rrjetet sociale dëshmon të kundërtën.

Vetëm javën e kaluar, ai ishte subjekt i 113 mijë bisedave “online”, ndërsa totali i tyre deri më tani llogaritet në 2.31 milionë. Fansat e tij në Shtetet e Bashkuara do të kenë mundësinë ta shohin duke nisur nga 7 korriku, datë kur filmi do të shfaqet në kinematë amerikane.

Top Channel