Debutimi në Europa League, Partizani pret edhe titullin kampion

28/06/2017 00:00

Partizani ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore përpara debutimit në kupat e Europës, ku do t’i duhet të përballet me bullgarët e Botev Plovdiv.

Gjithçka duket gati dhe trajneri Starova ka siguruar që do të bëhet e pamundura që të kalohet ky raund i parë eliminator i kupës Europa League edhe pse përballë do të kenë një kundërshtar të fortë.

“Mund të them që shanset për kualifikim do të jenë 50 me 50 edhe pse ky është një kundërshtar i fortë”, shprehet Sulejman Starova, trajner i Partizanit.

Starova nuk ka lënë pa përmendur edhe çështjen e titullit që pritet të marrë Partizani, pas penalizimit të Skënderbeut për sezonin 2016/2017.

“Nuk e di pse po vonohet çështja e titullit që duhet të na jepet ne sepse e meritojmë. Unë kam thënë që ka qenë çështje kohe, por me sa duket janë marrë me zgjedhjet e nuk kanë pas kohë”, thotë Starova.

Sa i përket ndeshjes së Europa Leagues, Partizani- Botev Plovdiv ajo do të luhet në “Selman Stërmasi” ditën e enjte në orën 17:00, duke qenë se ndriçimi i këtij stadiumi, sipas delegatit të UEFA-s, nuk i plotëson kushtet për t’u zhvilluar ndeshja në mbrëmje.

Top Channel