Trepça ’89 mposhtet në Champions, por shpreson në kualifikim

27/06/2017 00:00

Trepça ’89 është skuadra e parë nga Kosova që ka nisur aventurën e saj europiane në turin e parë kualifikues të Champions League.

Trepça ’89 luajti në transfertë ndaj Vikingur të Ishujve Faroe, ku edhe pse u mund me rezultatin 2-1 i mban ende gjallë shpresat për të kaluar në turin e ardhshëm.

Skuadra kosovare zhvilloi një ndeshje të mirë, por nuk mund të merrte të paktën një barazim nga kjo transfertë.

Vendasit kaluan të parët në avantazh, por skuadra kosovare reagoi me një perlë të Fitim Hajdarit në fundin e pjesës së parë.

Ai lëshoi një goditje fantastike nga jashtë zonë, duke mposhtur portierin e vendasve. Megjithatë, Vikingur shënoi golin e epërsisë në pjesën e dytë.

Si një ndeshje debutuese në kupat e Europës, ky takim mund të vlerësohet si pozitiv për Trepça ’89, e cila pret që në takimin e ardhshëm të marrë një fitore edhe minimale që do t’i jepte mundësinë për të kaluar në turin e ardhshëm.

Top Channel