Më 27 prill, nacionalistë të maskuar mësynë Parlamentin maqedonas, duke plagosur ndër të tjerë edhe kreun e Partisë Social-Demokrate, Zoran Zaev. Por ky nuk ishte një incident i izoluar në Ballkanin Perëndimor, sipas asaj që shkruan “Washington Post”.

Mbi 25 vite pas rënies së komunizmit, vendet e Ballkanit Perëndimor janë shndërruar në gjysmë demokraci, ndërsa rajoni është i munduar nga tensionet etnike, fetare e nacionaliste.

Gazetarja e medias prestigjioze amerikane, Ingrid Bego rendit arsyet kryesore që – sipas saj, – shpjegojnë krizat politike në këto vende. Mungesa e një rivaliteti të shëndetshëm politik në shumë prej këtyre vendeve është shkaku i parë sipas gazetares.

Sipas saj, kjo ka çuar drejt regjimeve njëpartiake dhe politikave klienteliste. Ai që duket si një përkushtim i madh ndaj BE-së ka rezultuar më shumë si një angazhim sipërfaqësor, duke mos u përkthyer në veprime të vendosura për përmirësimin e sundimit të ligjit dhe fuqizimin e institucioneve.

Ndërhyrja e Rusisë në vendet me shumicë sllave, gjatë viteve të fundit, është sipas “Ëashigton Post” kontribuesi i dytë i tensioneve në rajon. Media përmend komplotin e një grupi nacionalistësh rusë për vrasjen e ish-kryeministrit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.

Ndërsa këtë vit, Rusia akuzoi Shqipërinë, NATO-n dhe BE-në se po përpiqeshin të krijonin një qeveri proshqiptare në Maqedoni, në një kohë që vet mbështeste udhëheqësit nacionalistë prorusë në Ballkan.

Investimet e mëdha të Rusisë dhe përhapja e teorive konspirative kunder BE-së e bëjnë rajonin një fushëbetejë për ndikime politike nga Lindja. “A mundet BE-ja të negociojë demokracinë në rajon?”, është pyetja që ngre gazetarja.

Sipas saj, pjesa më e madhe e rajonit, ndër të cilat edhe Shqipëria, nuk po shënojnë shumë progres drejt anëtarësimit, e nëse blloku do të kërkojë ndryshime rrënjësore e të rëndësishme në këmbim të anëtarësimit, Moska mund të lobojë kundër axhendës ekspansioniste të Europës duke ofruar një vizion alternativ.

Ndërkohë, nëse BE-ja do të përshpejtojë bisedimet, kjo mund të çojë drejt një stabiliteti afatshkurtër në rajon, por do të minonte reformat demokratike, duke përhapur edhe ndjenjat kundër BE-së.

Top Channel