I nxehti, i mundimshëm edhe për kafshët

27/06/2017 00:00

Kafshët në Kopshtin Zoologjik të Romës u përballën të martën me një surprizë të veçantë: kuba akulli me shije frutash dhe lëpirëse të ngrira. Kjo, me qëllim që të ndihmohen t’i bëjnë ballë të nxehtit të madh.

Italia është përballur me temperatura të larta dhe mungesë reshjesh kohët e fundit, me motin e nxehtë që pritet të vazhdojë edhe për të paktën 5 ditët e ardhshme.

Për kafshët në Kopshtin Zoologjik “Bioparco”, temperatura 34-35 gradë është e ekzagjeruar, por kombinuar me 33 për qind lagështirë, i nxehti i mesditës ndihet sikur të jetë më shumë se 40 gradë. Për ato kafshë, që vijnë nga tropiku, kjo nuk është edhe aq keq, por kafshët e tjera kanë nevojë për hije shtesë dhe për ujë.

Tila, një tigër nga Sumatra, ia ka bërë të qartë mikes së saj Kashi, se nuk mund të prekë asnjë prej frutave të saj të ngrira, e ajo është detyruar të tërhiqet për t’u freskuar sadopak në pishinë, duke e parë e pikëlluar.

Mangustat, ndërkohë, mund të mos i pëlqejnë frutat, por ato adhurojnë të hanë larvat që dalin nga një shalqi i ngrirë. Ndërsa për rakunin amerikano-jugor, gjithçka ishte aq e shijshme, saqë harroi plotësisht rregullat e sjelljes në tryezë.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel