Më shumë se 20 vite pas masakrës më të madhe në Europë, që prej Luftës së Dytë Botërore, Gjykata e Apelit në Hagë ka dalë në përfundimin se Holanda është pjesërisht përgjegjëse për vdekjen e të paktën 350 prej viktimave të forcave serbe në atë vend.

Gjatë luftës së Bosnjes, paqeruajtësit holandezë ishin ngarkuar të ruanin enklavën e Srebrenicës dhe mijëra personat që kishin gjetur strehim në atë që konsiderohej “një zonë e sigurtë”.

Por korrikun e vitit 1995, ata u dorëzuan pa shkrepur asnjë armë, pas sulmit të stuhishëm të njësive serbe. Trupat serbe nën komandën e gjeneralit Ratko Mladiç ekzekutuan pas kësaj 8.000 burra dhe djem myslimanë.

Një gjykatë në Holandë, në fazën fillestare nuk e kishte bërë shprehimisht përgjegjëse vendin në fjalë për rastin e enklavës dhe vdekjet masive. Por ushtarët nuk kishin vepruar në përputhje me ligjin, lidhur me deportimin e 300 burrave nga territori i tyre ushtarak. Kjo sipas gjykatësve, megjithëse kishte pasur sinjale për ekzekutime masive.

Në argumentimin e gjykatësve nënvizohet se “me shumë siguri mund të thuhet se, këta burra do të kishin jetuar, nëse ‘Dutchbat’ do t’u kishte lejuar atyre të qëndronin brenda territorit ushtarak”.

“Mundësitë e mbijetesës së meshkujve myslimanë që ndodheshin në kompleksin holandez ishin rreth 30%. Shteti është kështu përgjegjës për 30% të humbjeve njerëzore atje”, u tha në vendimin e gjykatës.

Qeveria holandeze kishte apeluar vendimin. Sipas saj, “Dutchbat” nuk mund të bënte asgjë kundër supremacisë serbe, e këmbëngul se trupat kanë qenë nën komandën e OKB-së. Por edhe të afërmit e viktimave e apeluan vendimin. Organizata “Nënat e Srebrenicës” është e mendimit se, Holanda është përgjegjëse për më shumë viktima.

Top Channel