SHBA: Assad po përgatit një tjetër sulm me armë kimike

27/06/2017 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë identifikuar “përgatitje të mundshme” për një tjetër sulm kimik në Siri, e i kanë përcjellë regjimit të Assadit paralajmërimet e tyre.

Shtëpia e Bardhë pretendon se aktivitetet e diktuara ishin të ngjashme me ato të kryera përpara sulmit të dyshuar kimik në muajin prill, ku vdiqën dhjetëra vetë. Episodi i atëhershëm detyroi presidentin Donald Trump të urdhëronte goditjen e një baze ajrore siriane.

Deklarata e Uashingtonit e paralajmëronte Bashar al-Assadin se, Damasku do të paguajë një “çmim” të rëndë, nëse do të ketë një tjetër sulm të kësaj natyre, i cili me shumë mundësi do të rezultonte në vrasjen masive të civilëve.

“Siç e kemi bërë të qartë edhe më parë, – thuhet aty, – prania e Shteteve të Bashkuara në Siri synon eliminimin e Shtetit Islamik atje dhe në Irak. Nëse Assad zgjedh, gjithsesi, të ndërmarrë një tjetër sulm masiv duke përdorur armë kimike, kostoja për të dhe ushtrinë e tij do të jetë e lartë”.

Zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe atij të Mbrojtjes u detyruan të pranojnë për mediet se njoftimi i Shtëpisë së Bardhë i ka zënë në befasi, duke lënë të kuptohet se çështja nuk ishte diskutuar paraprakisht edhe me agjencitë e tjera të sigurisë kombëtare.

Ambasadorja e Amerikës në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley deklaroi se, po të ndodhë vërtet një sulm i tillë, me përgjegjësi do të vishen edhe dy aleatët kyç të Sirisë: Rusia dhe Irani.

Ekspertët mendojnë se qëndrimi i Shtëpisë së Bardhë përbën një ndërhyrje shumë të pazakontë. Ata konsiderojnë se kjo është një lëvizje e paprecedentë përgjatë të gjithë kursit të konfliktit dhe theksojnë se nuk ka pasur asnjëherë më parë paralajmërime të tilla nga inteligjenca amerikane mbi mundësinë e një sulmi.

Top Channel