Liderët e BE: Oferta e May, e pamjaftueshme

24/06/2017 00:00

Zyrtarët më të lartë europianë kritikuan ofertën e Britanisë së Madhe për shtetasit e BE-së, pas Brexit-it, duke pretenduar se situata për ta mund të përkeqësohej.

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk tha se propozimet ishin nën pritshmëritë e tyre dhe se nevojiteshin më shumë detaje. Bashikimi Europian sipas tij, donte t’i siguronte të drejta të plota të gjithë qytetarëve dhe shtetasve britanikë që jetojnë në kontinent.

Kryeministrja Theresa May tha të enjten gjatë samitit dy ditor në Bruksel, se do të kishte dallime mes dy palëve, por se Mbretëria e Bashkuar po ofronte një garanci të drejtë e serioze.

“Përshtypja ime e parë është se oferta britanike është nën pritshmëritë tona dhe kjo rrezikon të përkeqësojë situatën e qytetarëve. Megjithatë ekipi ynë negociues do ta analizojë ofertën rresht me rresht, pasi ta marrim atë në letër”, tha presidenti i KE-së, Donald Tusk.

Si Londra ashtu edhe pjesa tjetër e Unionit, duan të arrijnë një marrëveshje për të siguruar statusin e 3.2 milionë qytetarëve të BE-së në Britaninë e Madhe dhe rreth 1.2 milionë britanikët që jetojnë në vendet e bllokut.

Sipas planeve të njoftuara të enjten nga May, qytetarët e BE mund të qëndrojnë në vend edhe pas Brexit-it, dhe ata të cilët kanë jetuar në vend prej të paktën 5 vitesh, do të kenë të njëjtat të drejta me britanikët, sa i përket shërbimeve shëndetësore, arsimore, pensioneve etj.

E megjithatë nuk është përcaktuar një afat për paketën nga Doëning Street dhe detajet e planit nuk do të publikohen deri të hënën. Oferta nxiti reagime të ndryshme nga krerët e Unionit, me kancelaren gjermane Angela Merkel që e përshkroi atë si një fillim të mirë.

Top Channel