F1, Verstappen pushton Azerbajxhanin në provat e lira

23/06/2017 00:00

Dita e parë e provave të lira përpara Çmimit të Madh të Azerbajxhanit është shënuar nga piloti holandez, Max Verstappen. Piloti i Red Bullit ka rezultuar më i shpejti në të dyja sesionet e kronometruara këtë të premte.

Dallimi i vetëm është se në sesionin e parë, Ferrari dhe Mercedesi kishin përdorur gomat e buta, ndërsa holandezi i Red Bullit gomat super të buta, duke pasur një avantazh të dukshëm prej këtij fakti, ndërsa në sesionin e dytë gjithçka u luajt me kushte të barabarta: me goma super të buta.

Red Bulli i Verstappen arriti të përshkuante pistën për 1 minutë, 43 sekonda dhe 362 të mijëtat. Pas tij u rendit Mercedesi i Valtteri Bottas, ndërsa në vendin e tretë shoku i skuadrës së holandezit, australiani Daniel Ricciardo.

Edhe pse përpara Ferrarit, për “shigjetat e argjendta” ka rënë kambana e alarmit. Lewis Hamilton regjistroi vetëm kohën e dhjetë më të mirë dhe ka hasur vështirësi të shumta, qoftë me konfigurimin e duhur të makinës, ashtu edhe me konsumin e gomave.

Ferrari duket se ka bërë një punë të mirë dhe i ka nxjerrë dy pilotët e saj, Kimi Raikkonen dhe Sebastian Vettel, në vendet 4 dhe 5, duke pasur optimizëm për garën e së dielës.

Provat zyrtare të së shtunës do t’i ndiqni në Top Channel duke filluar nga ora 15:00, ndërsa garën për Çmimin e Madh të Azerbajxhanit, të dielën në po të njëjtën orë në Top News.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel