“Ma sillni Donald Trumpin”

23/06/2017 00:00

Ajo ishte një batutë, që u interpretua edhe si kërcënim. “A e sillni dot këtu Donald Trumpin?”, i tha aktori Johnny Depp publikut të mbledhur në festivalin “Glastonbury”, në momentin që prezantoi filmin e tij “The Libertine”.

Turma shpërtheu në brohorima dhe Depp shtoi: Më keqkuptuat krejtësisht. Kur ishte hera e fundit që një aktor ka vrarë një president?

Por komentet e tij nuk i la me kaq.

“Dua të sqaroj se unë nuk jam aktor. Gënjej për të siguruar jetesën. Por mbase është koha që kjo të ndryshojë”, tha Depp.

Ylli i “Hollywood”-it e pranoi se pohimet e tij, që mund të merren edhe si referim ndaj vrasjes së Abraham Lincoln prej aktorit John Ëilkes Booth në vitin 1865, do të shkaktonin polemika.

“Kjo do të dalë në shtyp tani dhe do të jetë e tmerrshme. Ishte thjesht një pyetje, nuk po nënkuptoj asgjë”, thërriste Depp.

Sidoqoftë, ai nuk është i pari person i famshëm që luan me idenë e vrasjes së presidentit. Gjatë një tubimi në Washington DC, Madonna pati thënë se i shkon shpesh nëpërmend ta hedhë në erë Shtëpinë e Bardhë, ndërsa reperi Snoop Dogg e qëllon figurën e Trumpit me një pistoletë lodër në një video muzikore.

Në mediet sociale, megjithatë, ka pasur edhe kritika ndaj komenteve të Depp, të cilat vijnë pak ditë pasi një person i armatosur qëlloi e plagosi disa kongresmenë republikanë në Virginia.

Top Channel