Samiti i BE-së, ujdi për mbrojtje të përbashkët

22/06/2017 00:00

Këshilli Europian vendosi zgjatjen e sanksioneve ekonomike për Rusinë, me 6 muaj të tjerë.

Lajmin e njoftoi në rrjetin social Tëitter, presidenti i Këshillit, Donald Tusk, ndërsa samiti i 28 vendeve anëtare po vazhdonte. Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emanuel Macron, informuan kolegët mbi situatën në Ukrainë dhe implementimin e marrëveshjes së Minskut.

Në mungesë të zbatimit të plotë të saj, u vendos zgjatja e sanksioneve. Udhëheqësit e 28 vendeve anëtare, arritën në Bruksel një marrëveshje sa i përket luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Ujdia parashikon më shumë bashkëpunim ushtarak dhe intensifikimin e përpjekjeve kundër luftëtarëve të huaj edhe me bashkëpunimin e kompanive online. Marrëveshja konsiderohet si një hap historik drejt objektivit të një mbrojtje të përbashkët europiane.

Kancelarja gjermane Angela Merkel vlerësoi progresin e bërë sa i përket bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, në ditën e parë të samitit dy ditor.

“Të gjithë janë në një mendje se krijimi i një strukture të përbashkët mbrojtjeje, nuk është kundër NATO-s, por është plotësuese e aleancës. Megjithatë kjo na jep mundësinë të krijojmë marrëdhënie më të strukturuara në fushën e mbrojtjes, me ato vende që nuk janë anëtare të NATO-s”, tha Merkel.

Edhe presidenti i ri francez Emanuel Macron, në samitin e tij të parë të BE-së, që kur u shpall kreu i Elizesë, i cilësoi historike hapat e vendeve europiane, drejt mbrojtjes së përbashkët.

Politikat e reja lidhur me këtë objektiv, do të mund të mbështeten edhe tek krijimi i një fondi të posaçëm. Të drejtat e 3,2 milionë qytetarëve të BE-së, që jetojnë në Britaninë e Madhe, pas Brexit-it, ishin një tjetër çështje e nxehtë.

Kryeministrja Theresa May siguroi liderët e Unionit se çdo qytetar i BE, që jeton në Britaninë e Madhe prej 5 vitesh, do të sigurojë leje të përherëshme qëndrimi në vend dhe do të mund të mbështetet  tek benefitet shëndetësore e arsimore, edhe pas Brexit-it.

Top Channel