Ata quhen “Amoure”, që në gjuhën e tyre do të thotë dashuri, dhe këtë dashuri e kanë përcjellë në shumë skena franceze, por edhe europiane. Ndërkohë e kanë sjellë edhe në Tiranë, përmes koncertit të mbajtur në sheshin “Skënderbej”, mbrëmjen e së mërkurës.

“Tirana është shumë e bukur. Nuk e prisnim të ishte kështu, sepse është kaq larg Strasburgut ku ne jetojmë. Çdo ditë të qëndrimit tonë këtu zbulojmë gjëra të reja për kulturën e saj. Mbrëmë ishte një koncert i vërtetë, njerëzit kërcyen me muzikën tonë dhe kjo ishte një gjë shumë e bukur”, tha Nicolas Lietart, nga “Amoure Band”.

“Amoure” kanë çuar muzikën e tyre në Korçë, Elbasan e Tiranë, në “Festën e muzikës”. Nikolas tregon më shumë, se pse e kanë quajtur grupin “dashuri”.

“Kemi dy vite që kemi nisur të punojmë si bandë, por si muzikantë e si miq kemi 10 vite që njihemi. Kemi qenë pjesë e bandave të tjera më parë, por kjo bandë është krijuar mbi bazën e miqësisë, ndaj ka në thelb dashurinë për miqtë. Ne luajmë muzikë vere, tropikale, funk, por ajo që e dallon muzikën tonë është fakti se duam të përcjellim pozitivitet, që njerëzit ta shijojnë”, tha ai.

“Amoure Band” dhe 3 djemtë e saj do të udhëtojnë drejt Shkodrës për të përçuar në pedonalen e qytetit, sonte në mbrëmje, dashurinë e muzikës së tyre.

Top Channel