Rama: Administratën, siç bëmë policinë

22/06/2017 00:00

Si kryeshembull të të gjitha ndryshimeve në vend në katër vitet në pushtet, Edi Rama mori Policinë e Shtetit.

“Policia e shtetit, institucioni më qesharak që gjetëm katër vjet më parë, sot është institucioni më i besueshëm i qytetarëve dhe e gjithë kjo falë Saimir Tahirit dhe më pas Fatmir Xhafës, dy njerëz që tregon se PS është një skuadër fituesish”, tha Rama.

Në mitingun përmbyllës të fushatës në kryeqytet, kreu i Qeverisë tha se në të njëjtin shembull do të ndryshohet edhe administrata publike.

“Ashtu siç e bëmë ne Policinë e Shtetit, ashtu siç do të bëjmë administrarën publike; duke ua prerë rrugën influencave të partive politike dhe duke ua dhënë në dorë profesionistëve, djemve dhe vajzave profesioniste që të zbatojnë ligjin dhe Kushtetutën”, u shpreh ai.

“Nuk ka ulja taksash dhe rritje shpenzimesh që sjellin zhvillim po nuk pati shtet”, vijoi ai.   

Rama mbrojti edhe reformën në arsim dhe dha edhe arsyen se përse kjo reformë kundërshtohet.

“Arsyeja është se reforma jonë në arsim ka ende shumë frute për të dhënë, por ndërkohë ka dhënë një frut që le ta ngrejë dorën një prind dhe të thotë që unë e imagjinoja se kjo do të bëhej ndonjëherë në Shqipëri, që sot nuk ka më rëndësi asgjë përveç pikëve të mbledhura nga mesatarja dhe provimi i maturës shtetërore. Ata që janë kundër reformës në arsim kanë humbur pushtetin mbi shpirtrat e të rinjve”, tha ai.

Top Channel