Ibrahimoviç, drejt kampionatit amerikan

22/06/2017 00:00

Milionave amerikane që po joshin përditë futbollistët në fundin e karrierës, duket se nuk do t’u rezistojë as Zlatan Ibrahimoviç.

Sulmuesi veteran suedez, i cili në fundin e sezonit vuajti dëmtimin më të rëndë në karrierën e tij spektakolare, tani gjendet pa një kontratë të vlefshme, edhe pse stërvitet ende në Manchester.

“Djajtë e kuq” nuk preferuan të aktivizojnë opsionin e rinovimit të akordit edhe për një vit, duke parë gjendjen e keqe fizike të futbollistit me origjinë boshnjake. Kjo ka sjellë dhe një lumë ofertash në drejtim të Zlatan Ibrahimoviç, që nga Kina e deri në SHBA.

Kompania e veshjeve sportive e sulmuesit nordik, “A-Z Sportswear”, ka zbuluar jo pak mbi të ardhmen e Zlatan.

“Mirëseerdhe në Los Angeles”, ishte postimi i fundit i kompanisë, me një kuptim të dyfishtë për dyqanin e ri në SHBA, por gjithashtu për ekipin që po këmbëngul në firmën me Ibrahimoviç.

Sulmuesi u tradhtua nga ligamentet e gjurit në një ndeshje të Manchester United, por po rikuperohet nga dëmtimi duke u stërvitur në qendrën “Kerington” të “Djajve të kuq”. Suedezi la mbresa me Manchester United, duke shënuar 28 gola në 46 ndeshje me klubin ishullor.

Top Channel