Moti i nxehtë, nxënësit shkojnë me funde në shkollë

22/06/2017 00:00

Në Britani duket se po kthehet në modë sfidimi i Kodit të Etikës, sa i përket veshjes në ambiente pune apo shkollore. Rreth 30 djem janë paraqitur me funde në ditën e tyre të shkollës, si shenjë proteste ndaj urdhrit që u ndalonte atyre të vishnin pantallona të shkurtra.

Nxënësit e Akademisë “ISCA” në Exeter kërkuan leje për të modifikuar uniformën e tyre shkollore, për shkak të motit të nxehtë të këtyre ditëve.

Njëri prej pjesëmarrësve në protestë tha se “nuk na u lejua të vishnim të shkurtra, por unë nuk kam ndërmend të vesh pantallona të gjata. Bën shumë vapë”.

Mësuesja kujdestare, Aimee Mitchell tha se të shkurtrat nuk ishin pjesë e “uniformës së shkollës”.

Nxënësit, ndërkohë, thanë se ideja për të protestuar në këtë mënyrë erdhi nga vet mësuesja kujdestare, e cila ua kishte dhënë si sugjerim, por njëri prej tyre këmbënguli se nuk besonte që ajo ta kishte seriozisht.

Ata pretendojnë tashmë se shkolla do ta rikonsiderojë politikën kundër pantallonave të shkurtra, si rezultat i protestës së tyre, ndërsa mësuesja kujdestare u kishte dhënë madje edhe shpresa se kjo gjë do të ndodhë.

“Ne e pranojmë se ditët e fundit ka qenë jashtëzakonisht nxehtë, ndaj po bëjmë të pamundurën që t’u sigurojmë qoftë studentëve, ashtu edhe stafit akademik, një qëndrim sa më të rehatshëm në shkollë. Të shkurtrat, aktualisht nuk janë pjesë e uniformës për meshkujt, por unë nuk dua që të bëj ndonjë ndryshim, pa u konsultuar fillimisht me nxënësit dhe familjet e tyre. Gjithsesi, nëse moti i nxehtë do të vijojë të jetë i përditshëm, atëherë do të isha e lumtur të konsideroja çdo ndryshim për të ardhmen”, tha mësuesja Mitchell.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel