Dortmundi, ultimatum sulmuesit Aubameyang

22/06/2017 00:00

Pierre-Emerick Aubameyang duhet të vendosë për të ardhmen përpara datës 26 korrik. Ky është ultimatumi i dhënë nga drejtuesit e Borussia Dortmund, në drejtim të sulmuesit nga Gaboni, ditë kur skuadra do të mblidhet për të nisur fazën përgatitore për sezonin e ri.

Lajmi bëhet publik nga e përditshmja gjermane “Bild”, sipas së cilës, nëse përpara kësaj date nuk do të vijë ndonjë ofertë prej të paktën 70 milionë eurosh, klubi do të kërkojë nga futbollisti respektimin e kontratës, që skadon në verën e vitit 2020.

“Jemi të gatshëm të studiojmë ofertat për Aubameyang, nëse do të ketë ndonjë të tillë”, tha drejtori i Përgjithshëm i Borussia Dortmund, Hans Joachim Watzke, për “Bild”.

Shitja e Aubameyang për 70 milionë euro do ta ndihmonte Borussia Dortmundin që të ndërhynte në merkaton e transferimeve, por për këtë i duhet kohë në dispozicion, e për këtë arsye vendosi si afat të fundit për transferimin e futbollistit datën 26 korrik.

Javët e fundit u fol shumë për një transferim të Aubameyang në drejtim të Paris Saint Germain, apo kampionatit kinez, por këto opsione duket se nuk ekzistojnë më.

Top Channel