Deputeti gjerman: Qeveria e re, mision i vështirë

22/06/2017 00:00

Deputeti i Bundestagut gjerman, Torsten Frei e sheh një mision të vështirë, thuajse të pamundur formimin e qeverisë së re të Kosovës nga rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit.

Duke folur për DW, ligjvënësi gjerman, një njohës i mirë i Ballkanit dhe veçanërisht i shqiptarëve, thotë se roli i LDK-së do të jetë vendimtar në këtë pjesë.

“Formimi i qeverisë do të jetë me të vërtetë shumë i vështirë dhe ndoshta do të ketë rëndësi LDK dhe aleanca e saj. E quaj të gabuar që të bëj parashikime, meqenëse nuk mund të përjashtohen as zgjedhjet e reja”, deklaroi ai.

Frei thotë se nga këto zgjedhje, koalicioni i njohur si “krahu i luftës” kanë dalë të humbur, ndërsa komenton edhe deklaratat e Ramës dhe Thaçit që folën për bashkim të shqiptarëve nëse nuk ecet me shpejtësi në procesin e integrimit në BE.

“Unë shoh para së gjithash motive të politikës së brendshme, po të bëhen me të vërtetë deklarata të tilla. Por natyrisht që është jashtëzakonisht e rrezikshme që të luash për shkaqe të politikës së brendshme me zjarrin etnik. Prandaj nuk kam asnjë mirëkuptim për deklarata të tilla”, thotë ai.

Top Channel