Koktejet e ngrira janë trendi i ri i verës në Berlin dhe një armë e mirë për të mposhtur të nxehtin përvëlues. Ato shërbehen në një formë të ngjashme me akulloret, e gjermanët duken shumë entuziastë.

“Aktualisht kemi 6 shije të ndryshme, me gati 11 për qind alkool, që të gjitha të ngrira. Punojmë me fruta të freskëta. Kemi këtu daiquiri me luleshtrydhe e me mango, edhe plot gjëra të tjera. Të gjitha janë shumë të mira”, tha Felix Riederers, shef marketingu i “Schleck Druff”.

“Unë kam marrë xhin-tonik. Masa është e vogël, por efektive. Është e mirë dhe mjaft e këndshme, por në fund të fundit, përse të mos jetë kur i ke të kombinuara bashkë pijen e preferuar dhe akullin”, tha Alex, një konsumator.

“Është një ide shumë e veçantë dhe perfekte për stinën e verës. Është goxha e mirë”, tha Lauritz, një tjetër konsumator.

“Oh, është super. Kam provuar të tilla edhe më parë. Me një vapë si kjo, ideja është fantastike, të freskon goxha”, tha Emily, konsumatore.

Për disa, stina e verës rimon me koktejin dhe recetat janë nga më të shumëllojshmet, por ato të ngrirat rezultojnë ndër më të preferuarat këtë sezon, ndonëse ka plot njerëz që vazhdojnë t’i mbeten besnikë “sangria”-s dhe “spritz”-it me “prosecco”.

Top Channel