FFK përgatit “gijotinën”

21/06/2017 00:00

Askush në Kosovë nuk priste mrekulli në fushatën e parë eliminatore dhe historike të përfaqësueses me eliminatoret e botërorit 2018, por rezultatet zhgënjyese dhe goleadat e vuajtura në shumë ndeshje, kanë shtuar ndjeshëm kritikat ndaj saj.

6 ndeshje të zhvilluara dhe vetëm 1 pikë, 3 gola të shënuar dhe plot 18 të pësuar! Më keq se kaq nuk mund të shkonte për Kosovën e vendit të fundit në grupin I të kualifikueseve, dhe në raste të tilla fajtori është lehtësisht i etiketueshëm, trajneri Albert Bunjaku.

Në mbledhjen e fundit të komitetit ekzekutiv, pakënaqësitë ndaj rezultateve ishin tema e ditës dhe FFk premtoi ndryshime. Ndonëse, shkarkimi i përzgjedhësit Albert Bunjaku nuk është përmendur në njoftim, fakti se anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së janë shprehur të pakënaqur dhe kanë paralajmëruar ndryshime, flet se orët e Bunjakut në krye të Përfaqësueses janë të numëruara.

Kritikat dhe pakënaqësitë ndaj përzgjedhësit Bunjaku u rritën dukshëm pas humbjes që Kosova e pësoi këtë muaj nga Turqia, 1:4, ndërsa nuk munguan polemikat as në dhomat e zhveshjes.

Sulmuesi Besart Berisha, shpërtheu në akuza ndaj trajnerit për amatorizëm, madje sulmuesi i Melbournit ka deklaruar se nuk do ta veshë më fanellën e Kosovës për aq kohë sa përzgjedhës do të jetë Bunjaku.

Top Channel