Kupa e Konfederatave, Ronaldo mposht Rusinë

21/06/2017 00:00

Vjen firma e parë e Kristiano Ronaldos në Kupën e Konfederatave në një ndeshje ku vlente prestigji veç pikëve të nevojshme për të kaluar në raundin tjetër të Kupës së Konfederatave.

90 minutëshi i Moskës mes kombëtares ruse të futbollit dhe Portugalisë u vendos nga një rrjeta e Topit të Artë, që vendos luzitanët në vendin e parë në grupin A.

I gjendur në valën e diskutimeve për fshehjen e taksave dhe me dyshimin për të lënë apo jo realin e Madridit, kristiano Ronaldo mendoi të bënte atë që di më mirë, të shënojë gola. Rrjeta e tij ishte vendimtare në ndeshjen ndaj organizatorëve të turneut, kur portugezi u gjend në shtyllën e dytë duke shënuar me kokë pas krosimit të guerrieros.

Kampionët në fuqi të Europës mbizotëruan me qarkullimin e topit edhe pas avantazhit madje, shpërdoruan raste për të siguruar rezultatin me Ronaldon dhe Andre Silva.

Rusia provoi më shumë me zemër sesa me logjikë për të gjetur barazimin, por u limitua në tentativa sporadike dhe në drithërimën e fundit të stadiumit moskovit, në goditjen  me kokë të Dzhikiya që përfundoi mbi tranversë.

Top Channel