Kryeministrja “gay”, në krye të Serbisë ku fitonin homofobët

21/06/2017 00:00

Në paradat për të drejtat e homoseksualëve në Serbi skenat e dhunës dhe përgjakjes kanë qenë simbolikë. Ato shpesh anuloheshin pasi shteti nuk garantonte sigurinë, por megjithatë aktivistët dilnin në rrugë.

Ana Brnabiç ka ndryshuar historinë e Serbisë, të paktën për një gjë: për homoseksualët flitet më hapur. Ministrja e Pushtetit Lokal ka lënë përshtypje si teknokrate që punon shumë. Ajo është propozuar nga presidenti Aleksandar Vuçiç për kryeministre.

“Është iluzion të presim investime të huaja, kredi të mira dhe zhvillim ekonomik pa stabilitet rajonal. Dhe kjo është e rëndësishme”, ka thënë Brnabiç.

42-vjeçarja ka fituar edhe çmime nga komuniteti LGBT. Vetë ajo nuk është deklaruar shumë rreth seksualitetit të saj, por propozimi i saj për drejtimin e qeverisë ka shkaktuar pakënaqësi.

Një partner politik i shefit të diplomacisë, Ivica Daçiç ka thënë se do një njeri familjar me fëmijë. Vota e deputetëve mund të ndahet, pasi një pjesë e tyre fshehurazi nuk e durojnë lehtë faktin të jenë pjesë e një qeverie të udhëhequr nga një lesbike.

Politikën pritet ta udhëheqë vetë Daçiç, ndërsa punën Brnabiç. Stefan Shparavallo është aktivist për të drejtat e komunitetit LGBT.

Ai ka rezerva, por e gëzon fakti që një “gay” do të udhëheqë qeverinë. Një fillim i vogël, sipas tij, por i rëndësishëm.

“Vetë fakti që njerëzit do të shohin çdo ditë një homoseksual në një post kaq të lartë do të japë efekt, pasi kjo temë, perveçse në Beograd, në qytetet e tjera është një tabu”, thotë Shparavallo.

Brnabiç nuk është pjesë e asnjë partie. Një person i ri mund të ndihmojë shplodhjen e rajonit nga tensionet. Për Ivana Randjeloviç, nga Civil Right Defenders, Serbia ngelet një shoqëri ku sundon patriarkati. Sipas saj, Serbia ka humbur shumë raste për ndryshime.

“Simbolikisht është një gjë mirë, qoftë si grua dhe si lesbike. Por është në pikëpyetje se sa ajo mund të marrë vendime pa një mbështetje të vërtetë politike, e sidomos për çështjet rajonale”, thotë Randjeloviç.

Shumë mendojnë se ky është një veprim për publicitet politik. Por nuk dihet se nga do të orientohen deputetët serbë në propozimin për zëvendësimin e Vuçiç në kryeministri.

Top Channel