Sneijder, drejt SHBA. Kërkohet nga Montreal Impact

21/06/2017 00:00

Wesley Sneijder mund të jetë ylli i radhës i futbollit europian, që mund t’i bashkohet “Major League Soccer” në SHBA.

Sipas asaj që publikohet në median turke, Galatasaray po kërkon të shesë mesfushorin holandez, i cili ka si prioritet gjetjen e një skuadre në Europë për të vijuar karrierën e tij.

Nëse ky plan nuk realizohet, atëherë për Sneijder pritet të hapen dyert e Montreal Impact. Kontrata e Sneijder me Galatasarayn skadon verën e vitit 2018, e tashmë klubit kanadez i duhet të nisë bisedimet me drejtuesit e Galatasaray për të siguruar shërbimet e Sneijder, që më parë ka luajtur edhe për klube të tilla si Ajax, Real Madrid dhe Inter.

Nëse transferimi i Sneijder te Montreali do të realizohet, holandezi do të ketë sërish shok skuadre Blerim Xhemailin, me këtë të fundit që ka qenë pjesë e Galatasaray në sezonin 2014-2015.

Top Channel