Putin, “ministër” për Ballkanin. Një spiun i besuar i presidentit

21/06/2017 00:00

Nëse ajo çfarë shihet nuk gënjen, – thotë “Politico”, – Vladimir Putin ka një njeri të ri të tijin në Ballkan.

Përfshirja e të besuarit të shefit të Kremlinit, Nikolai Patrushev, oficer karriere i inteligjencës ruse dhe bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit, tregon – sipas revistës prestigjioze, – se Moska po ndërmerr në rajon një qasje të linjës së ashpër.

Patrushev njihet për nacionalizmin e tij të egër, faktin që sheh kudo nga një komplot dhe eksperiencën tmerrësisht të gjerë të spiunazhit.

Ai është kreu i Këshillit rus të Sigurisë dhe një portofol jozyrtar për Ballkanin i vjen shumë për shtat trendeve të momentit.

Edhe pse zyrtarisht, barra e politikës së jashtme bie në shpatullat e Sergei Lavrov, vendimmarrja aktuale në Kremlin – sipas “Politico”-s, – orientohet prej një rrethi të ngushtë oficerësh të inteligjencës dhe të mbrojtjes, që kanë lidhje të afërta me Putinin.

Patrushev, sipas ekspertit të çështjeve të sigurisë të specializuar sidomos te marrëdhëniet me Rusinë, Mark Galeotti, është padyshim një prej atyre njerëzve që mendojnë se Rusia gjendet në mesin e një lufte ekzistenciale për mbijetesë.

Për të, – sipas Galeottit, – kjo vazhdon të jetë një lloj lufte e ftohtë, ku çdo zmbrapsje e Perëndimit perceptohet si pozitive për Moskën.

Në deklaratat e tij publike, Patrushev ka dalë me pretendimin se Shtetet e Bashkuara po orvaten ta copëtojnë shtetin rus, që të hapin sipas tij, qasjen ndaj burimeve të pasura që amerikanët mendojnë se Rusia i kontrollon pa të drejtë.

Ai po kështu ka kritikuar atë që e sheh si qëndrim agresiv në rritje të NATO-s, pretendon se politika e jashtme e BE-së diktohet nga Uashingtoni dhe ka paralajmëruar për ringritjen e nazizmit në Europën Lindore.

Në vazhdën e akuzave të përfshirjes së Rusisë në tentativën për grusht shteti në Malin e Zi, ai u dërgua me urgjencë në Serbi, për t’u takuar me zyrtarë të lartë qeveritarë e krerë të shërbimit sekret. Raportet në media tregojnë se Beogradi ka ekstraduar disa shtetas rusë, të akuzuar si organizatorët e komplotit.

Top Channel