Chelsea kërkon sulmues. Shfaq interes për Lewandowskin

21/06/2017 00:00

Përpara një jave, askush nuk e mendonte se Robert Lewandowski mund të largohet nga Bayern Munchen. Por, ditët e fundit gjërat kanë ndryshuar.

Mësohet se, sulmuesi polak ka mbetur i pakënaqur me klubin gjerman, e sidomos me trajnerin Carlo Ancelotti, që nuk e grumbulloi në skuadër për ndeshjen e fundit në kampionat për të luftuar për titullin e golashënuesit më të mirë.

Vet agjenti i futbollistit i ka shfaqur pakënaqësitë e Lewandowskit, duke deklaruar se futbollisti priste një mbështetje më të madhe nga skuadra. Është pikërisht ky detaj, që mund të ndryshojë edhe skenarët për të ardhmen e polakut.

Sipas rrjetit “Fox Sports”, Chelsea po mendon të shfrytëzojë këtë situatë të krijuar për të tentuar blerjen e sulmuesit, paga e të cilit është 15 milionë euro në sezon.

Klubi londinez është në kërkim të zëvendësuesit të Diego Costës, i cili ka të ngjarë të kthehet tek Atletico Madrid, duke parë se “Blutë” i kanë nisur tashmë bisedimet me spanjollët për të.

Deri tani, një prej objektivave të kampionëve të Anglisë ka qenë Alvaro Morata, por ky i fundit preferon kalimin te Manchester United, ndërkohë që në krye të listës ka qenë Lukaku, por në këtë rast pengesa e ka emrin Everton, me klubin nga Liverpuli që dëshiron të përfitojë sa më shumë nga shitja e kartonit të tij, gjë që detyron drejtuesit e Chelseat të kthejnë vëmendjen nga Lewandowski.

Polaku e mbylli sezonin me 43 gola në të gjitha aktivitetet dhe 10 asiste, është vetëm 28 vjeç dhe ka shumë vite karrierë përpara, ndërkohë që kontrata e tij me Bayernin skadon pas 4 vitesh.

Top Channel