Eurobasket, eliminohen femrat e Serbisë dhe Rusisë

21/06/2017 00:00

Letonia shkakton surprizën dhe eliminon Serbinë në raundin kualifikues të çerekfinaleve, në kampionatin europian të basketbollit pë femra.

Skuadra e shtetit balltik iu imponua skuadrës kampione të Europës 75-70, duke i zbritur përfundimisht nga froni i “mbretëreshave” të basketbollit kontinental.

Pas një dominimi të Letonisë në periodën e parë, ku u panë disa gjuajtje të sakta nga distanca, në 3 periodat e treta pati një rivalitet më të madh mes skuadrave, por ishin letonezet ato që udhëhiqnin në rezultat, duke u kualifikuar me meritë në çerekfinale.

Në këtë fazë, Letonia do të ketë përballë një skuadër eksperte si ajo e Spanjës.

Greqia vazhdon të bëjë një paraqitje të mirë në Eurobasketin e femrave të këtij viti. Skuadra helene preu biletën për në çerekfinale të kompeticionit, pasi mposhti Rusinë 62-58. Greket fituan periodën e parë dhe të tretë të sfidës, ndërsa basketbollistet ruse u kundërpërgjigjën me fitoren e periodës së dytë dhe të katërt.

Diferenca e pikëve favorizoi ballkanaset, që në çerekfinale do të luajnë një derbi të vërtetë me Turqinë.

U kualifikua për në çerekfinale edhe IItalia, që arriti të thyejë Hungarinë 49-48. Mes tyre ishte një ndeshje ku loja në mbrojtje, por edhe gabimet në gjuajtjet e lojtareve ndikuan në shënimin e pak pikëve, siç e tregon edhe rezultati.

Në këtë përballje, kryesimin e merrte herë Italia e herë Hungaria, por në fund suksesi i takoi basketbollisteve italiane, që do të kenë si kundërshtare të radhës Belgjikën.

Sllovakia ishte ajo që pati fitoren më të lehtë në këtë raund kualifikues të çerekfinaleve. Basketbollistet sllovake mposhtën Ukrainën 82-68, në një sfidë që duket se e kontrolluan pa shumë probleme. Në çerekfinale, Sllovakinë e pret një ndeshje shumë e vështirë, pasi do të ketë përballë nënkampionet e Francës, një prej pretendenteve për triumfin final.

Top Channel