Shumëkush nuk e di që kryeqyeti ka një bandë frymore, ose kujtohet për të në ngjarje të veçanta, ku ftohen të interpretojnë instrumentistët e saj. Përmes koncertit “Tinguj nën yje”, Bashkia e Tiranës synon të promovojë vlerat e bandës frymore të Tiranës te qytetarët.

“Ne po bëjmë promovimin e bandës së qytetit. Kemi bërë riformatim të saj e do të vazhdojmë ta bëjmë edhe në vitet e ardhshme, pasi mendojmë se banda e qytetit është shumë e rëndësishme. Të gjithë njerëzit duhet ta njohin bandën e Tiranës me muzikën e tyre karakteristike, të fusim një frymë tjetër nëpër lagje, nëpër njësi, brenda në zemrën e qytetit me veglat frymore dhe me veshjen e tyre karakteristike”, tha Julinda Dhame, drejtore e Përgjithshme e promovimit të Tiranës.

Me një frymë të re, ku arterie kryesore e artit dhe kulturës nuk duhet të jetë vetëm qendra e kryeqytetit, koncertet nën yje çojnë muzikën në sheshet kryesore të Tiranës.

“Qëllimi ka qenë që të edukonim të gjithë me artin. Ne po e çojmë aty ku ata nuk kanë mundësi, në mënyrë që të edukohen me art, me kulturë, me rryma të ndryshme. Tirana do të jetë gjithmonë në aktivitet, në hapësirat që Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion për qytetarët”, tha Dhame.

Koncertet përmbyllen mbrëmjen e kësaj të marte, në hapjen e segmentit të parë të “Bulevardit të ri”, ku do të jenë të pranishëm edhe këngëtarët lirikë, Kastriot Tusha e Armaldo Kllogjri.

Top Channel