Kukësi, afrime “low cost” përpara Championsit

20/06/2017 00:00

Shorti i hedhur në selinë e UEFA-s ishte më shumë sesa bujar për Kukësin, duke i rezervuar një kundërshtar të lehtë, krahasuar me atë se çfarë mund t’i rezervonte fati.

Por edhe pse pas 3 javësh do të masë forcat me Sherif Tiraspolin, skuadra kampione e Shqipërisë po bën pak për të përmirësuar organikën.

Dy afrimet e para të ekipit verilindor janë mesfushori Hair Zeqiri dhe mbrojtësi Rustem Hoxha. Nga kjo javë, të dy futbollistët do të jenë pjesë e skuadrës kampione të Superiores, e do të vihen nën urdhrat e trajnerit Ernest Gjoka dhe stafit teknik.

Mesfushori Hair Zeqiri u prezantua zyrtarisht me fanellën e Kukësit, ekip ku shpreson të lërë shenjë që nga kjo verë. 28-vjeçari është një ndër lojtarët më të dalluar të kampionatit shqiptar në vitet e fundit. Ky do të jetë sezoni i dytë me Kukësin, pas atij të vitit 2014-2015.

Pas largimit nga Flamurtari, Zeqiri ka nënshkruar një kontratë 1+1 me ekipin kampion të Shqipërisë dhe do të mbajë fanellën me numrin 7.

Ndërkohë, te Kukësi u prezantua edhe mbrojtësi Rustem Hoxha, pas negociatave që përfunduan me sukses dhe që do ta mbajnë për të paktën një sezon me verilindorët. 25-vjeçari ka qenë kapiten dhe udhëheqës te skuadra e Teutës, e pritet të shtojë zgjedhjet në Champions ndaj Sherif Tiraspolit.

Ndeshja e parë luhet në Moldavi, në datën 11 ose 12 korrik, ndërsa ndeshja e dytë do të luhet në Shqipëri, më 18 ose 19 korrik.

Top Channel