Tirana, dy blerje përpara sfidave të Europa League

20/06/2017 00:00

Në pritje të vendimit të Komisionit të Etikës, që mund t’i rezervojë një dhuratë të pashpresuar me ripeshkimin në Kategorinë Superiore, Tirana vazhdon përgatitjet për një situatë unike në futbollin shqiptar.

Bardheblutë, që sezonin tjetër do të luajnë në një kategori inferiore, do të impenjohen këtë muaj në Europa League ndaj një kundërshtari, që shorti nuk ia rezervoi të lehtë.

Tirana do të përballet me izraelitët e Maccabi Tel Aviv, në turin e parë kualifikues të Europa League. Skuadra ka nisur përgatitjet prej disa ditësh për takimin e parë, që do të luhet në datën 29 qershor në Izrael.

Trajneri Ze Maria ka nisur të njohë futbollistët më mirë, që prej emërimit në stol, ndërsa për këto dy ndeshje të para në Europë ka edhe dy risi.

Braziliani Wellyson Luiz Olivera dhe sulmuesi nga Uganda, Yunus Sentamu, janë dy përforcimet për ndeshjet në Europë, aty ku kryeqytetasit shpresojnë që të kalojnë të paktën një tur. Kjo do t’i sillte përfitime të mëdha ekonomike Tiranës, që vuan prej kohësh nga problemet financiare.

Në listën e federuar për Europa League janë portierët Lika dhe Bakaj, ndërsa në mbrojtje Muça, Hoxhallari, Turtulli e Domgjoni. Mes tyre dhe talenti Albi Doka, për të cilin ka oferta edhe nga klube jashtë Shqipërisë.

Në mesfushë, kapiteni Karabeci, që nuk do ta braktisë ekipin as në zbritjen drejt Kategorisë së Parë, si dhe Daja, Kërçiku, Akuah dhe Merveil. Reparti sulmues i bardhebluve është i gjithi një enigmë me Moise dhe Halilin, që duken pak për t’i bërë dëm Maccabit të Tel Avivit në prapavijë.

Top Channel