Porsche mendon të hyjë në F1

20/06/2017 00:00

Në 3 vitet e fundit, skuadra e Porsche ka vendosur diktatin e saj në garën e 24 Orë të Le Mans me fitoret e arritura.

Tani kompania e famshme gjermane e prodhimit të makinave po mendon të nisë një aventurë të re, ndoshta atë të botërorit të Formula 1. Lajmi bëhet i ditur nga Auto Bild, sipas së cilës, drejtuesit e Porsche kanë pranuar ftesën për të marrë pjesë në takimin e kompanive të motorëve për të diskutuar për rregullat që do të vendosen për botërorin pas vitit 2020, takim që do të zhvillohet në Austri. Po kështu, drejtuesit e Porsche deklaruan se nuk e garantonin vijimin në garën e Lë Mans dhe se duhet të marrin një vendim në lidhje me këtë çështje.

Zërat për një përfshirje të mundshme të Porsche në Botërorin e Formula 1 filluan të qarkullonin pas pranisë së drejtuesve të McLaren, Zak Brown dhe Eric Boullier në garën e Lë Mansit kur u fol edhe për një interesim të tyre për motorët e kësaj skuderie, pavarësisht zërave që flasin për një bashkëpunim të mundshëm me Mercedes.

Por Formula 1 nuk është opsioni i vetëm për Porsche. Kompania gjermane nuk e mohon mundësinë që të jetë pjesë e Botërorit të Formula E që konsiderohet si një alternativë tjetër për të.

Top Channel