Eurobasket femra, caktohen çerekfinalistet e para

20/06/2017 00:00

Është mbyllur faza e grupeve të kampionatit evropian të basketbollit për femra dhe janë mësuar emrat e 4 skuadrave të para çerekfinaliste.

Bëhet fjalët për Spanjën, Turqinë, Belgjikën dhe Francën. Skuadra spanjolle që ndodhet në Grupin A, humbi ndeshjen e fundit ndaj Çekisë 67-63, por kjo nuk pati aspak rëndësi për këtë skuadër që falë fitoreve me Ukrainën dhe Hungarinë, siguroi kualifikimin direkt si e para e grupit.

Për sa i përket Ukrainës dhe Hungarisë këto 2 skuadra do të luajnë ndeshjet kualifikuese për çerekfinale. Në grupin B është Turqia ajo që siguroi vendin mes 8 më të mirave të Evropianit si skuadra fituese e grupit. Basketbollistet turke mundën Bjellorusinë në ndeshjen e fundit 88-74 për të mbyllur këtë fazë të parë të Eurobasketit me 6 pikë të plota. Italia dhe Sllovakia janë skuadrat e këtij grupi që do të luajnë nën raundin e mëtejshëm të këtij evropiani

Në Grupin C, është Franca ajo që preu biletën për në çerekfinale pasi fitoi edhe ndeshjen e tretë; atë me Greqinë me rezultatin 70-63 duke e mbyllur këtë fazë me 6 pikë të plota. Skuadra greke dhe kampionia në fuqi e kontinentit, Serbia do të luajnë ndeshjet e tyre kualifikuese për një vend mes 8 më të mirave.

Në Grupin D është skuadra e Belgjikës ajo që rezultoi më e mira duke zënë vendin e parë me 6 pikë të plota. Basketbollistet belge fituan edhe ndeshjen e fundit; atë me Letoninë me rezultatin 62-58 duke bërë të mundur që të evitojnë zhvillimin e një sfide tjetër për të qenë në çerekfinale.

Ndeshjet e raundit kualifikues për çerekfinale të këtij evropiani janë Ukrainë-Sllovaki, Serbi-Letoni, Itali-Hungari dhe Rusi-Greqi.

Top Channel