Uashingtoni i përgjigjet kërcënimit të Moskës

20/06/2017 00:00

Pas kërcënimit rus, në lidhje me rrëzimin e avionit sirian nga forcat e koalicionit anti-ISIS në Siri, erdhi edhe reagimi i Shteteve të Bashkuara.

“Do të bëjmë atë që mundemi për t’i mbrojtur interesat tona. Regjimi sirian duhet ta kuptojë se kemi të drejtën e vetëmbrojtjes përballë Shtetit Islamik”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.

Deklarata e tij pasoi paralajmërimet e Moskës se, avionët amerikanë në vendin e trazuar mund të jenë shënjestra sulmesh nga ana e saj.

Të dyja palët janë përfshirë në goditjen nga ajri të grupeve terroriste në Siri, por të hënën, tensionet u përshkallëzuan pasi amerikanët rrëzuan një avion luftarak të qeverisë siriane, i cili ishte duke bombarduar një zonë ku vepronin rebelë të mbështetur nga Uashingtoni.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov e cilësoi episodin një “akt agresioni”, e tha se linja për parandalimin e aksidenteve ajrore mbi Siri është ndërprerë.

Spicer këmbëngul se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të “punojnë me partnerët” për të luftuar kërcënimin e ISIS në Siri. Nga ky moment, sipas rusëve, avionët e tyre do të gjurmojnë çdo avion amerikan, e mund të hidhen në veprim nëse shohin se ata kthehen në kërcënim për avionët e Damaskut.

Top Channel