Presidenca e Realit, Perez pa rivalë

18/06/2017 00:00

Florentino Perez po përgatitet të marrë mandatin e tij të tretë si president i Realit të Madridit.

Në zgjedhjet e radhës në klubin spanjoll, Perez do të jetë i vetëm në garë, duke qenë se nuk u prezantua asnjë kandidat tjetër për të rivalizuar me te. 

Me ndryshimet e aprovuara në rregulloren e brendshme të klubit, biznesmeni zor se do të gjente ndonjë kundërshtar të vlefshëm në garën për kreun e ‘Los Blancos’.

Sipas ndryshimeve të aplikuara, të gjithë ata që do të pretendojnë marrjen e postit të presidentit të Realit të Madridit, duhet të jenë pjesë e këtij klubi prej 20 vitesh dhe të kenë të paktën 75 milionë euro në llogaritë personale bankare. 
Zyrtarizimi i rizgjedhjes së Perez në krye të Realit të Madridit do të bëhet ditën e hënë dhe ky mandat do të përfundojë në vitin 2021.

Florentino Perez e mori fillimisht presidencën e Realit në vitin 2000, teksa mundi në zgjedhje Lorenzo Sanz, duke premtuar marrjen e Luis Figos nga rivalët e Barcelonës, një lëvizje që u realizua për shifrën rekord të asaj kohe prej 62 milionë eurosh.

Pas një shkëputjeje, ai u rikthye në këtë post në 2009-ën duke përdorur të njëjtën strategji, pasi arriti të sjellë në Bernabeu Ricardo Kaka dhe Cristiano Ronaldon dhe këto blerje kapën shifra rekord.

Pas rizgjedhjes në krye të Realit të Madridit, Perez do të ketë si detyrë kryesore zgjidhjen e krizës me Cristiano Ronaldon që ka kërcënuar me largim nga klubi merenges.

Top Channel