Ronaldo, Zidane i kërkon qëndrimin. Edhe Chelsea në garë

18/06/2017 00:00

Cristiano Ronaldo është padyshim “telenovela” futbollistike e kësaj vere. Prej ditësh po flitet për dëshirën e tij për t’u larguar nga Reali i Madridit, për shkak të problemeve me drejtësinë për evazion fiskal, por është dikush që po tenton të ndryshojë rrjedhën e kësaj historie.

Bëhet fjalë për Zinedine Zidane, i cili po mundohet që të zbusë disi qëndrimin e sulmuesit portugez. Sipas të përditshmes spanjolle “Marca”, trajneri francez ka telefonuar Ronaldon duke i kërkuar qëndrimin te Reali, pasi skuadra ka nevojë për të, si në aspektin sportiv, ashtu dhe në atë njerëzor.

Një telefonatë që nuk duhet nënvlerësuar aspak, ajo e Zidane për Ronaldon, duke parë edhe ndikimin që ai ka pasur te futbollisti duke e bindur që të pushojë herë pas herë, duke mos e aktivizuar në disa ndeshje. Një lëvizje kjo që pati efekt, duke parë se Reali i Madridit triumfoi si në kampionatin spanjoll, ashtu edhe në Champions League.

Ndërkohë është shtuar lista e klubeve pretendente që kërkojnë blerjen e kartonit të tij. Në garën për Ronaldon, së fundmi është përfshirë edhe Chelsea, për të rivalizuar me Manchester United, Paris Saint Germain dhe Bayern Munchen.

Sipas “Sunday Express”, Roman Abramovich po tundohet shumë nga ideja për të sjellë 32-vjeçarin në “Stamford Bridge” dhe për të bindur Realin e Madridit është gati të përfshijë në tratativa edhe Eden Hazard, me belgun që prej kohësh është shndërruar në objektin e “Los Blancos”.

Top Channel