Eurobasket, serbet mposhten edhe nga Franca

18/06/2017 00:00

Serbia pëson humbjen e dytë radhazi në Europianin e basketbollit për femra, që po zhvillohet në Republikën Çeke.

Skuadra kampione në fuqi e kontinentit, këtë radhë u mposht nga Franca, një prej pretendenteve për fitoren e të gjithë turneut.

Rezultati ishte 73-57 në favor të skuadrës transalpine, që kryeson grupin C me 4 pikë. Fillimi i sfidës ishte më i mirë për skuadrën serbe, që arriti të fitojë periodën e parë 19-15, por më pas gjithçka foli për Francën, që vendosi diktatin e saj në 3 periodat e tjera, për të mbyllur sfidën në favorin e saj.

Fitoren e dytë radhazi shënoi edhe Spanja, një tjetër skuadër pretendente për të fituar këtë Europian të basketbollit të femrave. Skuadra iberike mundi këtë herë Ukrainën me rezultatin 76-54, për të qenë në vendin e parë të grupit A, me 4 pikë pas dy fitoreve.

Ashtu si në rastin e Francës, edhe Spanja e humbi periodën e parë ndaj ukrainaseve, 15-13, por gjërat ndryshuan ndjeshëm në periodën e dytë, kur Spanja filloi të fitojë terren për të marrë më pas krejtësisht kontrollin e sfidës, të cilën e mbylli me 21 pikë diferencë.

Itali-Turqi ishte një ndeshje e rivalizuar deri në sekondën e fundit, e në fund ajo që fitoi ishte skuadra turke 54-53. Skuadrat i kundërpëgjigjeshin njëra-tjetrës në çdo pikë dhe diferencat që krijonin nuk i kalonin 5 pikët. Në sekondat e fundit të sfidës, Italia kishtë në dorë sulmin e fundit për të shënuar pikët e fitores, por basketbollistet e vendit të Apenineve nuk u treguan të sakta, e Turqia festoi këtë sukses që e mban atë në vendin e parë me 4 pikë të plota.

Top Channel