Basha: Programi im, ndihmë për gratë dhe vajzat

17/06/2017 00:00

Nga Elbasani, Lulzim Basha ka hedhur poshtë mundësinë për një bashkëqeverisje PD-PS, sikurse po aludon sipas tij kryeministri Rama.

“Dredhia e fundit e republikës së vjetër është ideja që po mbjell në kokat e njerëzve, se ekziston një mundësi bashkjetese me Republikën e Re. E keni vënë re apo jo? Luli është çun i mirë, thotë. Unë nuk jam çun i mirë. Në këtë garë, ku do të vendosin shqiptarët për të ardhmen e tyre, unë jam më i miri. Jo vetëm kaq, por Edi Rama nuk i lan dot zullumet dhe gjynahet në këto katër vite, braktisjen e premtimeve, gjendjen e mjeruar të ekonomisë, duke u fërkuar pas Republikës së Re, pas Partisë Demokratike, apo pas meje”, tha Basha.

Këtë deklaratë, Basha e bëri në një takim me gratë dhe vajzat, ku foli edhe për programin e tij ekonomik për të nxjerrë vendin nga kriza. Duke u shprehur i vetëdijshëm për gjendjen e grave shqiptare, Basha tha se programi i tij do të rrisë punësimin e tyre.

“Unë dhe Partia Demokratike vijmë me një plan ekonomik. Asnjë aspekt i këtij plani nuk është premtim elektoral, por është pjesë e një tërësie masash që ka një qëllim: të ndezin motorrët e ekonomisë. Nuk kanë qëllim timonin për Lul Bashën, por motorin e ekonomisë për gjithë shqiptarët dhe natyrisht për gratë dhe vajzat shqiptare. Ky është një plan ekonomik që ka vulat e ekspertëve më të njohur ekonomik të Gjermanisë”, tha Basha.

Kreu i opozitës theksoi se, me uljen e TVSH-së, me taksën e sheshtë 9%, me zerimin e dividentit, me uljen e çmimit të naftës dhe çmimit të energjisë, Shqipëria do të ketë një klimë konkurruese brenda dhe jashtë.

Ai tha se masat e tij morën mbështetje edhe gjatë vizitës së fundit në Shtetet e Bashkuara, ku u takua me presidentin Trump dhe sipërmarrësit amerikanë. Basha shtoi se biznesi i vogël do paguajë më pak taksa dhe se nuk do të ketë asnjë gjobë në Republikën e Re.

“Biznesi i vogël paguan tarifa dhe taksa vendore që kanë shkuar në qiell, si taksa gjelbërimi, tabele madje edhe taksë për arsimin deri 7 herë më shumë. Paguan edhe gjoba. Ne do t’i ndalojmë gjobat me pullat fiskale. Do vendosim kufirin 1.5% të xhiros vjetore sipas totalit të vetëdeklarimit. Nëse taksidari terrorizon biznesin, atëherë do ta terrorizojmë ne me fuqinë e ligjit dhe do ta cojmë në  burg”, shtoi Basha.

Top Channel