Ronaldo konfirmon largimin, Reali kërkon 400 mln euro

16/06/2017 00:00

Tashmë nuk janë vetëm thashetheme, ato që pritet të trondisin këtë merkato verore. Ajo që shkroi mëngjesin e së premtes e përditshmja portugeze “A Bola”, nuk mbetet diçka e izoluar. Mbi divorcin e mundshëm mes Cristiano Ronaldos dhe Realit të Madridit vijnë konfirmime edhe nga mediet e tjera, si “Marca” apo “Sky Sports” i Anglisë.

“Cristiano Ronaldo nuk dëshiron të luajë më në Spanjë dhe po kërkon një ekip tjetër. Vendimi i tij është i pakthyeshëm”, shkruan media britanike. Ndërsa në mbrëmje, spanjollja “Marca” shkoi edhe më tej, duke cituar Ronaldon t’u ketë thënë shokëve të skuadrës se “vendimi është marrë, po largohem”.

Pakënaqësia e sulmuesit portugez duket se ka lidhje me sjelljen që kanë mbajtur “Los Blancos” përballë akuzave ndaj tij për evazion fiskal, me presidentin Florentino Perez që u ka bërë presion medieve për të evituar publikimin e njoftimit se mashtrimi lidhet pikërisht me Realin.

Një tjetër burim që e konfirmon këtë është Nuno Luz, gazetar i televizionit portugez “Sic” dhe ndër ata që e njohin nga afër Ronaldon, i cili në një intervistë për “Radio Marca” është shprehur:

“Cristiano ka vendosur të mos kthehet të luajë më në Spanjë, sepse mendon se është trajtuar keq në këtë sfidë me drejtësinë, ku nuk e ka ndihmuar askush. Bazuar mbi ligjin ‘Beckham’ të vitit 2005 (një ligj që parashikonte reduktim të tatimit për punonjësit e huaj në Spanjë me të ardhura mbi 600 mijë euro në vit), është gjetur një klauzolë sipas së cilës duhej të ishte klubi që të mbulonte një pjesë të mirë të taksave, dhe Ronaldo prandaj është irrituar”.

Reali, megjithatë, nuk duket se do të imponohet kollaj për shitjen e Ronaldos. Sigurisht, nëse ai kërkon të largohet, do të duhet të bindë ekipin ku kërkon të luajë që të derdhë një shumë marramendëse parash, krahasimisht me vlerën e futbollistit. Një vlerësim, që për “Los Blancos” shkon në rreth 400 milionë euro.

PSG dhe Manchester United duket se janë të vetmet skuadra të interesuara për Ronaldon, por nuk dihet nëse janë të gatshme të ofrojnë kaq shumë parà.

Top Channel