Stefan Kasper, një mësues holandez nga Haarlemi, ishte fituesi fatlum i një eksperince që mund ta përjetojë vetëm 1 në 10 milionë njerëz.

Si vizitori i 10 miliontë i të famshmit “Rijksmuseum” në Amsterdam, që prej hapjes së tij në vitin 2013 pas një rinovimi 10-vjeçar, atij iu dha mundësia të kalojë një natë në muze, e kompletuar me një darkë luksoze.

Kasper, gjithashtu një artist, është i pari person që fle në muze. Ai tregon se kishte mundur të ecte pa këpucë në katin e dytë të godinës, e boshatisur nga radhët e gjata të turistëve dhe rojet e sigurisë. Shtrati i tij ishte vendosur përpara një prej pikturave më të njohura të Rembrandtit, ajo e quajtur “Roja e natës”.

“Mund të bëja ç’të doja. Nuk kishte roje apo njerëz të tjerë, kështu që eca nëpër muze me çorape, sikur të isha në shtëpi. Pashë shumë piktura të ndryshme, por shumicën e kohës e kalova me ‘Rojen e natës’”, tha Stefan Kasper.

Taco Dibbits, drejtori i Përgjithshëm i “Rijksmuseum”, tha se donin ta shënonin arritjen e 10 milionë vizitorëve me një shfaqje të veçantë.

“Numri i vizitorëve është i pabesueshëm dhe ne donim të bënim diçka të veçantë. Të gjithë e njohim filmin ‘Një natë në muze’ dhe ne menduam se kjo ishte gjëja që mund të ofronim. Është një eksperiencë e jashtëzakonshme, veçanërisht të zgjohesh nën një prej pikturave më të famshme në botë”, tha Taco Dibbits, drejtor i muzeut.

“Rijksmuseum” në Amsterdam u ndërtua në vitin 1800 dhe pjesë e koleksionit të tij janë mbi 2.000 piktura të epokës së artë holandeze, nga artistë të njohur si Frans Hals, Johannes Vermeer, Rembrandt e nxënës të Rembrandtit.

Top Channel