Skënderbeu konfirmon përforcimet…me sytë nga Etika

16/06/2017 00:00

Skënderbeu ka gjetur strehim në Slloveni për temperaturat e larta të kësaj vere, që janë ngritur edhe më shumë nga ankthi për vendimin e Komisionit të Etikës. Por nëse miqësoret nuk kanë pasur rezultat, në merkato ka konfirmime.

“Ujqërit e dëborës”, që presin të njohin nëse do të dënohen apo jo nga Etika në lidhje me trukimin potencial të ndeshjeve, nuk po kursehen në përforcimin e ekipit.

Goran Vujoviç është zyrtarisht futbollisti i ri i Skënderbeut. Sulmuesi është bashkuar me ekipin në Slloveni, atje ku bashkë me menaxherin e përgjithshëm, Gerhard Takaj, ka firmosur kontratën që e lidh me klubin për 2 vitet e ardhshme.

Vujoviç vjen nga kampionati malazez, atje ku në sezonin e fundit ka shënuar 14 gola dhe ka asistuar 8 herë me fanellën e Buduçnostit. Sulmuesi ka një karrierë të pasur, teksa ka luajtur dhe me Videotonin, Arsenal Tula dhe Sutjenska Niksiç, por sërish shihet me skepticizëm nga tifozët, që nuk e konsiderojnë zëvendësues të denjë të Salihit.

Kështu, korçarët përmirësojnë cilësinë me një malazez në repartin sulmues, veç firmave me Donjet Shkodrën dhe Bruno Ditën. Ndërkohë, Komisioni i Etikës po mban ende në ankth ekipin korçar, pas shtyrjes së radhës së vendimit.

Në proces janë përfshirë edhe materiale të tjera të nevojshme për hetimin, ndërsa seanca e radhës është planifikuar për t’u zhvilluar në datën 23 qershor. Skenarët për Skënderbeun janë të shumtë, që nga zbritja një kategori më poshtë, heqja e titullit apo e pikëve.

Top Channel