Për më shumë se një dekadë, mushkat kanë qenë pjesë e rëndësishme e përpjekjeve për restaurimin e “Jiankou”, seksioni 1.000 metra i gjatë i Murit të Madh kinez, të njohur për kurrizet dhe pjerrësinë e tij të rrezikshme.

Cao Xinhua, i cili është bërë pjesë e projektit duke vënë në dispozicion kafshët e tij, shpjegon se shtegu është tepër i thiktë dhe shkëmbi mjaft i lartë për punëtorët, ndaj tullat mund të transportohen vetëm me mushka.

“Lartësia është shumë e madhe. Ky rrip i murit këtu përbën edhe pjesën më të rrezikshme të tij. Është shumë e vështirë të ngjitesh, le më pastaj të ngresh edhe tulla”, tha Cao Xinhua, pronar mushkash.

Atëherë kur munden, restauruesit përdorin tullat origjinale të shkëputura nga struktura. Por kur nuk arrijnë të gjejnë të tilla, në dispozicion kanë tulla të prodhuara në bazë të udhëzimeve specifike.

“Çdo pjesë e murit është terren më vete, ndryshon gjatësia, lartësia dhe pjerrësia. Ndaj transportimi i materialit është kaq i vështirë. Në zonën e fundit të tij, as mushkat nuk i dërgojnë dot tullat”, tha Cheng Yongmao, inxhinjer.

I famshëm për bukurinë e tij të egër, “Jiankou” u ndërtua në vitin 1600, në vitet e fundit të shkëlqimit të dinastisë Ming. Por ai është më i ri krahasuar me pjesë të tjera të strukturës, të ndërtuara përpara 2.000 vitesh.

Nisma e qeverisë kineze për të mbrojtur fortifikimin e lashtë ka berë që “Jiankou” t’u nënshtrohet përpjekjeve intensive riparuese. Qasja e kujdesshme e autoriteteve lokale vjen pas disa tentativave të dështuara për restaurimin e shkallëve të brendshme të tij, që shkaktuan indinjatë në mbarë vendin vitin e kaluar, sepse në atë rast, gurët origjinalë u hoqën dhe u zëvendësuan me rërë e çimento.

Top Channel