“Wonder Woman” ishte një triumf i jashtëzakonshëm për nga numri i biletave të shitura, por “Makinat 3” premton ta rrëzojë nga froni gruan e mrekullueshme në “Box Office”-in e kësaj fundjave.

Nga e premtja e deri të dielën, krijimi i “Disney-Pixar” pritet të grumbullojë 55 milionë dollarë, sipas revistës “Hollywood Reporter”. Dy filmat e parë “Makinat” siguruan së bashku, në nivel global, më tepër se një miliard dollarë.

Owen Wilson rikthehet si zëri i Lightning McQueen, i cili duhet t’i provojë këtë herë një gjenerate të re garuesish, se ai vazhdon të mbetet numri një në mbarë globin. Kastit të aktorëve i bashkohen Armie Hammer, Nathan Fillion, Kerry Washington dhe Cristela Alonzo.

Tashmë në javën e tretë të shfaqjes në kinema, “Wonder Woman”, pritet ta vazhdojë mirë trendin e saj të fitimeve, megjithatë duket se nuk e shmang dot rrëshqitjen në vend të dytë.

Përveç “Makinat 3”, edhe disa filma më të vegjël do të mbushin kinematë amerikane, nisur nga ai mbi jetën e “Tupac”-ut, “All Eyez on Me”, komedia “Rough Night” me Scarlett Johansson, si dhe filmi që rikthen në vëmendje peshkaqenët “47 Meters Down” me Mandy Moore, të cilët pritet të sjellin në debutimin e tyre përkatësisht 20 milionë, 16 milionë dhe 6 milionë dollarë.

Top Channel