Një zjarr i madh ka rënë në anijen e transportit “Med Star” me flamur të Qipros, dy milje në veriperëndim të Rodosit, në Egjeun Juglindor, kur ajo sapo ka dalë nga porti i ishullit.

Zjarri ka rënë në dhomën e motorëve të anijes nga shkaqe ende të panjohura, e është përhapur me shpejtësi të madhe pas orës 10 të mbrëmjes.

Anija ka pasur si ngarkesë automjete të vogla dhe kamionë, me destinacion ishullin e Santorinit. Në bordin e saj ndodheshin 32 persona, prej të cilëve 20 janë detyruar ta braktisin, kurse 12 të tjerë po ndihmojnë në fikjen e zjarrit që duket se ka shkaktuar dëme të mëdha.

Nëse nuk do të mund ta vendosin nën kontroll, ata kanë marrë urdhër të largohen.

Në operacion po marrin pjesë, përveç 3 anijeve të vogla të Marinës Detare greke, edhe 4 varka të ndërhyrjeve të rasteve speciale, si dhe mjete nga ajri.

Për incidentin është njoftuar Ministria e Marinës Detare dhe ka nisur një proces hetimi.

Top Channel